Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka goditur dy grupe kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimit te parave, duke lëshuar 20 masa sigurie, prej të cilave 15 “arrest me burg” dhe 5 “arrest në shtëpi”. Mes të arrestuarve janë edhe drejtuesit e grupeve kriminale, Artur alias Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai.
Nga hetimet rezulton se disa biznesmenë të njohur shqiptarë dyshohet se kanë përfituar dhe pastruar para nga aktiviteti i paligjshëm. Një nga çështjet e ndjekura nga SPAK përfshin dhe biznesmenin Samir Mane, i cili dyshohet se ka marrë një shumë deri në 3 milionë euro për të mundësuar lejen e ndërtimit të tokës së Alfredo Hamzait në kompleksin rezidencial Green Coast.
Sipas bisedave të datës 18, 24 dhe 27 shkurt 2021, komunikimet tregojnë se paratë ishin ndërmjetësuar nga Ilir Shtufi dhe përfshinin ndërtimin e 40 vilave, ku 20% do t’i përfitonte Alfredo Hamzai, si dhe një hotel me 120 dhoma. Hetimet përfshijnë verifikimin e transaksioneve dhe rolin e të gjithë personave të përfshirë.
Pjesë nga dosja e SPAK
Në bisedën e datës 18.02.2021, evidentohet fakti se bashkëbiseduesit komunikojnë lidhur me mundësinë e dhënies së një vlere parash që varion nga 2 deri në 3 milionë euro shtetasit Samir Mane, me qëllim nxjerrjen nga ky i fundit të lejes së ndërtimit për projektin rezidencial në pronën e personit nën hetim Alfredo Hamzai. Sipas komunikimit, shtetasit kanë planifikuar ndërtimin e rreth 30 vilave dhe një hoteli. Ndërmjetës në këtë komunikim me shtetasin Samir Mane dyshohet të jetë shtetasi Ilir Shtufi.
Në bisedën e datës 24.02.2021, personi nën hetim Artur Koçeku i shkruan personit nën hetim Alfredo Hamzai se ka folur me Lirin (Ilir Shtufi) me Zamirin (Samir Mane) dhe ky i fundit i ka thënë se do tre milionë euro që ta përfshijë tokën e Alfredo Hamzait në kompleks.
Në bisedën e datës 27.02.2021, evidentohet fakti se shtetasit kanë vendosur të zgjedhin opsionin e dhënies së tre milionë eurove shtetasit Samir Mane për përfshirjen e tokës së Alfredo Hamzait në kompleksin Green Coast. Nisur nga fakti se personi nën hetim Artur Koçeku shprehet se “mund të na kërkojë i mili cash fjera shpija zamiri”, dyshohet se tashmë këtij të fundit i është dhënë një shumë parash, që dyshohet se mund të jetë 1 milion euro. Nga analiza e bisedës arrihet në përfundimin se marrëveshja me Samir Mane është që ky i fundit të marrë pagesën prej tre milionë euro dhe të kryejë ndërtimin e 40 vilave, nga të cilat 20% do t’i jepen personit nën hetim Alfredo Hamzai. Sa i përket hotelit, Artur Koçeku shprehet se e ka kërkuar hotelin me 120 dhoma dhe do jetë i këtij të fundit dhe Hamzait.
Post a Comment